Statovci:Kosova e përkushtuar e konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi
BKT
Lajme

Statovci:Kosova e përkushtuar e konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi

RTKlive

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci në fjalimin në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka thënë se Kosova është e përkushtuar, konstruktive dhe kreative në dialogun Kosovë – Serbi.

Para eurodeputetëve, Statovci ka përmendur Fahrie Hotin, e cila ka humbur bashkëshortin në luftë. Ajo ka thënë se pas luftës, Fahria është bërë një sipërmarrëse e suksesshme, ku produktet e saja shiten në Evropë. Statovci ka thënë se Kosova është një nga vendet që ka vuajtur më së shumti nga regjimet dhe sistemet që kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore.

“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social i një vendi dhe forcimi i kohezionit social rreth vlerave që identifikojnë një shoqëri demokratike nuk mund të mendohet pa pjesëmarrjen dhe aktivizimin e plotë të potencialit të gruas në jetën sociale, politike dhe ekonomike. Kosova është një nga vendet që ka vuajtur më së shumti nga regjimet dhe sistemet që kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, dhe nga ana tjetër, është një nga vendet që ka përfituar më shumë nga përhapja e demokracisë; një shembull i qartë se si demokracia dhe paqja mund të përmbysin paradigmat dhe stereotipet”, tha ajo.

Sipas saj Kosova, edhe pse një vend i vogël dhe i ri, ka një histori sa të dhimbshme aq edhe krenare, shpresëdhënëse dhe udhërrëfyese.

“Në këtë histori të re të shtetit të Kosovës, padyshim një rol të jashtëzakonshëm kanë pasur gratë dhe vajzat, të cilat sot janë shembull, që përveç sakrificave dhe vështirësive, suksesi i tyre ka prekur majat vendore dhe ndërkombëtare”, theksoi ajo.

Statovci tha se historitë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona tashmë janë renditur në analet e librave të historisë botërore. “Majlinda Kelmendi, kampionja e Evropës, e botës dhe olimpike, është një nga emrat që e ka stolisur me medalje të arta Kosovën në historinë e saj të re”, tha ajo.

“Kosova është një vend, e ardhmja e së cilës lidhet me respektimin e barazisë gjinore dhe është koha që gratë të mbështeten në realizimin e kësaj aspirate, duke i dhënë zgjidhje ekuilibrave në shoqëri, në familje, në planifikim dhe në sfera të tjera. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, dhe kur flasim për barazi gjinore, flasim për përparimin dhe barazinë njerëzore”, tha ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme