Suedia e thërret Ibrahimovicin për ndeshjet e marsit
BKT
Sport

Suedia e thërret Ibrahimovicin për ndeshjet e marsit

Uran Krasniqi / RTKLive

Zlatan Ibrahimovic është rikthyer në Kombëtaren e Suedisë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 .

Ai ka marrë ftesë nga Suedia për takimet kundër Belgjikës dhe Azerbajxhanit, që zhvillohen këtë muaj.

Sulmuesi i Milanit e ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit jashtë fushës pasi iu nënshtrua një operacioni në gju në fund të sezonit 2021-22, pas një triumfi për titull në Serie A.

Trajneri suedez, Janne Andersson, e ka arsyetuar vendimin e tij për grumbullimin.

“Zlatan dhe unë kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Tani ai ndihet mjaft mirë që pritet të jetë në skuadër", ka thënë ai. 

Paraqitja e fundit e Ibrahimovic për Suedinë ishte afër një vit më parë, kur "skandinavët" u eliminuan në play-off të Botërorit "Qatar 2022" nga Polonia.