Kuvendi miraton me 101 vota pro ndryshimet në Kodin Rrugor
Shqipëri

Kuvendi miraton me 101 vota pro ndryshimet në Kodin Rrugor

ATSH

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në Kodin Rrugor në Republikën e Shqiërisë me 101 vota pro, 1 abstenim dhe 6 kundër.

Një nga ndryshimet në Kodin Rrugor është rritja e afatit të rinovimit të patentës, i cili bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me 10 vjet që është aktualisht.

Kodi i ri parashikon heqjen e postblloqeve në rrugët interubane dhe kryerjen e ndalimeve të mjeteve nga ana e policisë rrugore në pika kontrolli me kushte të larta sigurie. Po ashtu detyron bashkitë të sigurojnë pa pagesë 50 % të parkingjeve. Kodi i ri Rrugor parashikon përgjysmimin e gjobave në rast të kryerjes së pagesës brenda 15 ditësh.

Kuvendi miratoi me 101 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e taskforcave të përbashkëta në fushën e sigurisë”.

Me 103 vota pro u miratua edhe projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për delegimin e shërbimeve të trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit”.

Në seancën e sotme plenare u miratua gjithashtu me 99 vota pro edhe projektligji “Për bletarinë”.

Ndërkohë me 92 vota pro Kuvendi zgjodhi Idlir Gjatën si anëtar të Bordit të Mbikëqyrjes Financiare, ndërsa për caktimin e deputetit Petrit Doda si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave votuan pro 105 deputetë.

Me 110 vota pro Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.


MË SHUME NGA Shqipëri