Kurti pas takimit me Escobar: Marrëveshja, bazë drejt njohjes reciproke
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti, priti në Prishtinë, Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Bashkë me Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.
Siç njofton Zyra për Media e Kryeministrisë, Kurti e Escobar diskutuaa për takimin e së shtunës në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.
Në komunikatë theksohet se Kurti falënderoi Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.
“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, citohet të ketë deklaruar kryeministri Kurti.
Aty rikujtohet se të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.

Konjufca pas takimit me Escobar: Kosova e përkushtuar për paqe e stabilitet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton Zyra e Kryeparlamentarit, ai shoqërohej nga Alyson Grunden, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Paul Pfeuffer, këshilltar për Çështje Ballkanike në Departamentin Amerikan dhe Greg Viola, zyrtar politik në Ambasadën Amerikane.
“Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, shkruan në njoftim.
Më tej Konjufca citohet të ketë thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon.
“Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel”.
Tutje, ai nënvizoi se asnjëherë nuk do të humbet fokusi nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, sipas komunikatës, e falënderoi emisarin amerikan Gabriel Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut, teksa i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për fuqizimin dhe avancimin e partneritetit të ndërsjellë.

Escobar takoi Konjufcën, tani pritet nga Kurti
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit që pati me presiedenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe konferencës së përbashkët për media, ka vazhduar takimet sipas agjendes së paraparë.
Ai është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Megjithatë, pas këtij takimi, nuk është paraparë të bëhet ndonjë deklarim, përveç lëshimit të ndonjë komunikate për media nga Zyra e Kryeparlamentarit të Kosovës.
Pas Konjufcës, diplomati amerikan në orën 11:15 minuta, ka hyrë në takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku gjithashtu nuk është paraparë ndonjë deklarim për media.
Escobar po qëndron në Kosovë, pas vizitës që pati në Serbi, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Këto takime po zhvillohen vetëm një ditë para mbajtjes së takimit në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Atje pritet edhe nënshkrimi i planit të zbatimit të propozim marrëveshjes së ofruar nga BE-ja, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
























