SafeJournalists: Të ndalohet frikësimi i gazetarëve në Kosovë
Lajme

SafeJournalists: Të ndalohet frikësimi i gazetarëve në Kosovë

M.Sh/RTKlive&M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar) Mbrëmë në Prishtinë, dikush ka tentuar ta djegë garazhin e redaktorit në transmetuesin publik Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Alban Selimi.

Alban Selimi përmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se dikush ka tentuar ta frikësojë, por se nuk ia ka dalë. “Dikush i vuri zjarrin (garazhit); për të më trembur. Nuk ia arritën qëllimit!”, ka shkruar ai. Gazetari ka shuar zjarrin me ndihmën e fqinjëve të tij.

Lidhur me këtë akt ka reaguar edhe AGK, duke shprehur shqetësimin, derisa i bën thirrje organeve kompetente të sigurisë “që të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për të dhe familjen e tij dhe të fillojë sa më parë hetimin në mënyrë që autori apo autorët të vihen para drejtësisë.“

Gjithashtu edhe platforma “SafeJournalists”, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, e dënon ashpër sulmin ndaj kolegut tonë Alban Selimi, teksa u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë motivet e këtij sulmi, të gjejnë autorët sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i ndëshkojnë në mënyrë adekuate.

Po kështu, platforma SafeJournalists, bëri të ditur se  do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e platformës “SafeJournalists” e cila ka shtrirje në Kosovë, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, si dhe në Serbi.

(E plotësuar) AGK: Shqetësuese tentim frikësimi ndaj redaktorit Alban Selimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar të premten kundër vënies së zjarrit në shtëpinë e gazetarit hulumtues të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi, nga persona tashmë të panjohur për organet e rendit.

“AGK me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien e garazhit të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi.  Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit”, shkruan AGK në reagim.

“Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!”, ka shkruar ai, citon AGKL.

“Për Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë”,  shkruan AKG në kumtesën për media.

Çdo sulm ndaj gazetarëve, sipas këtij institucioni, është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve.

Ndryshe, mbrëmjen e kaluar, persona të panjohur për organet e rendit, kanë tentuar t’ia vijnë flakën shtëpisë së gazetarit të RTK-së, Alban Selimi në Fushë-Kosovë.  Intervenimi i shpejt i familjarëve dhe të afërmve ka ndikuar që zjarri të shuhet, ndërsa gazetarit Selimi i është dëmtuar vetëm garazha. Organet e rendit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po merren me zbulimin e rastit.  


MË SHUME NGA Lajme