Borrell e Blinken para takimit në Ohër: Koha për të bërë hapa përpara
B. H. / RTKlive
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell ka bërë të ditur se sot e ka zhvilluar një bisedë me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.
Ai në një postim në "Twitter" ka shkruar se e ka informuar sekretarin Blinken për takimin e ardhshëm të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, teksa ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-së në përpjekjet e BE-së për lehtësimin e këtij dialogu.
Ndërkaq, në një komunikatë për media nga BE, është bërë e ditur se diskutimi në telefon ndërmjet Borrellit dhe Blinkenit u përqendrua në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Ohër, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Borrell e informoi sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënvizoi pritshmëritë e tij për takimin e Ohrit dhe vuri në pah rëndësinë e progresit në dialog për aspiratat evropiane të të dyja palëve. Borell ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e BE-së, veçanërisht për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe për procesin në prag të takimit të nivelit të lartë që Përfaqësuesi i Lartë do të mbajë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti, këtë të shtunë. Të dy ranë dakord se ky është momenti i duhur për të bërë hapa të rëndësishëm përpara në interes të integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Siç është bërë e ditur më herët, Borrell dhe emisari për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, derisa më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh.