Tribunal për masakrën e Reçakut|Video
Lajme

Tribunal për masakrën e Reçakut|Video

Visar Shatrolli/ RTK

Me gjithë dialogun prej vitesh, Serbia as dje e as sot nuk ka kërkuar falje për shumë masakra e krime të tjera që i ka kryer në Kosovë. Madje, Beogradi zyrtar u mundua që ta mohojë masakrën e Reçakut. Për këtë masakër, para 4 vjetësh në Kosovë u duk se nisën hapat e parë të themelimit të një Tribunali që do t`i gjykonte këto mizori të Serbisë. Por, ende nuk ka asgjë konkrete.

Atë ditë dimri, dielli sa kishte lëshuar rrezet e para mbi Reçak, që do të ishte mëngjesi i fundit për 45 banorë të këtij fshati. Atë ditë, disa orë më vonë, forcat serbe, pasi granatuan Reçakun, kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë.

Trupat e 45 banorëve të masakruar në kodrën mbi fshat, tmerruan botën dhe e shtynë atë të veprojë më shpejt.

 “Sot qëndrojmë së bashku kundër atyre që shkaktuan këtë krim këtë krim kundër njerëzimit vrasjet. Vdekjet në Reçak kërkojnë drejtësi e kjo drejtësi do të arrihet...", William Walker ish-ambasador i OSBE-së.

Megjithatë, asnjë prej atyre që kryen këtë krim nuk u përball ndonjëherë me drejtësinë. Por, jo vetëm për këtë masakër.

Edhe ata që i kanë kryer mbi 400 masakra të tjera në Kosovë nuk janë gjykuar për ato krime.  Për këtë, para 4 vjetësh u duk se nisën hapat e parë, për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar si tentativë për dënimin e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, deri më tani asgjë nuk është punuar në këtë drejtim.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se institucionet e Republikës në vazhdimësi që nga koha e transferimit të kompetencave nga EULEX-i në institucionet e drejtësisë, nuk kanë pasur vizion që t`i trajtojnë krimet e luftës në Kosovë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kosova ka dështuar në këtë pikë.

" Kosova e ka humbur luftën në kuptim të hetim ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë, me vetë faktin që nuk ka pasur një qasje sistematike nuk ka pasur një vizion i cili do të ndikonte që të kemi numër të policëve të mjaftueshme të trajnuar e specializuar me i hetua këto lëndë nuk kemi pasur një sistem prokurorial me vizion, i cili do ti hetonte dhe konsideronte krimet e luftës me top prioritet”, Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së.

Ndonëse, sipas profesorit të së drejtës penale, Ismet Salihu, Kosova nuk ka të drejtë themelimin e një Gjykate Penale Ndërkombëtare, ai thotë se është zhgënjyes vullneti i institucioneve në grumbullimin e informacioneve për kryerësit e krimeve të luftës.

"Është lëshim i madh, gabim i madh mospuna jonë që nga lufta deri më sot në aspektin e hulumtimit, grumbullimit, sistemimit dhe të publikimit të krimeve të forcave paramilitare këtu kemi dështuar", deklaroi Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale .

Megjithëse kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës, numri i të dënuarve që kanë kryer krime, dhunime, zhdukje dhe shkatërrime të pronës është shumë i vogël.

Sipas të dhënave, gjatë luftës në Kosovë ishin vrarë mbi 13 mijë njerëz, ishin dëbuar mbi 800 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre, ishin zhdukur mbi 6.000 persona, e ishin dhunuar rreth 20 mijë gra.


MË SHUME NGA Lajme