Ibrahimovic krenar që u bë golashënuesi më i vjetër i Serie A
Uran Krasniqi / RTKLive
Me golin kundër Udineses përmes penalltisë Zlatan Ibrahimovic është bërë golashënuesi më i vjetër i Serie A, ku ai e ka kaluar ish-mbrojtësin e Milanit, Alessandro Costacurta. Dhe një fakt i tillë suedezin e bën të ndihet krenar.
Në ndeshjen e vlefshme për Serie A, Milan është mposhtur me rezultat 3-1 nga skuadra e qytetit të Udines.
“Do të ishte shumë më mirë nëse Costacurta do ta kishte mbajtur këtë rekord”, ka thënë Ibrahimovic për "Sky Sport Italia" pas ndeshjes. “Jam krenar që hyj në historinë e këtij klubi, i cili është një klub i madh ku kanë kaluar shumë lojtarë të mëdhenj dhe kjo do të thotë shumë për mua".
Duke folur për situatën e skuadrës, ai ka thënë se ekipi gjendet në presion, pasiqë duke qenë kampion aktual skudrat e tjera po i qasen ndeshjes sikur të jetë finale.
"Këtë vit kemi më shumë presion në të gjitha ndeshjet. Kjo skuadër nuk ka përvojë të luajë si kampione e Italisë, ne nuk mund të kemi të njëjtën performancë të lartë në të gjitha ndeshjet", ka thënë Ibrahimovic.