Gjirokastër, përkujtohet 115-vjetori i luftës së Mashkullorës
atsh
Në Gjirokastër u përkujtua sot 115-vjetori i Luftës së Mashkullorës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte e pranishme edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Kumbaro tha se “kjo luftë është kujtimi i një prej ngjarjeve më të lavdishme të historisë së Gjirokastrës e krejt vendit, skalitur ndër breza edhe prej vargjeve aq të njohura prej këngës popullore”.
“E përkujtuam Luftën e Mashkullorës, si çdo vit, me mashkulloritë të mirë dhe për ta mbajtur gjithmonë në zemër, me shumë nderim, sakrificën e të parëve tanë”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Lufta e Mashkullorës është fiksuar në histori si një ndër ngjarjet më të spikatura të rezistencës dhe kryengritjes patriotike shqiptare të viteve 1908-1910, një epope e lavdishme që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar.