Giresse optimist: Mund të kualifikohemi
F.Bytyqi/RTKLive
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alain Giresse, në një konferencë për medie, ka folur për kualifikueset e EURO 2024.
‘Dardanët’ aventurën e re në kualifikueset e Evropianit të ardhshëm, do ta nisin më 25 mars në udhëtim tek Izraeli, derisa tri ditë më vonë përballen me Andorrën në ‘Fadil Vokrri’.
"Fillimisht do të doja t'iu flisja lidhur me grupin që ndodhemi në këto kualifikime. Përgjegjësisht ndodhemi në një grup që nuk është shumë i vështirë, por njëkohësisht nuk duhet nënçmohen kundërshtarët. Është grup që na jep ambicie për të shkuar më tej, prandaj jemi këtu dhe kjo është pikëpamja ime sa i përket grupit”, tha Giresse, raporton RTKLive.com.
"Do të prezantoj listën që tashmë e keni parë dhe në krahasim me listën, i kemi dy ndryshime. Emri i parë është Rashani që e keni parë dje që mungon dhe emri i dytë është Uran Bislimi, për të cilën Bajrami do të jep disa detaje", theksoi tekniku francez.
"Izraeli? Është një ekip shumë e mirë sa i përket planit teknik, një ekip teknikisht që qëndron mirë dhe luan futboll të bukur duke tentuar gjithmonë të ndërtojë diçka. Një lojë që fillon nga fillimi jo me topa të gjatë drejtë një lojtari, me lojtarë të cilën kanë nivelin e njëjtë me përfaqësuesin e Izraelit pastaj ka disa karakteristika të caktuara për këtë ekip dhe unë nuk dua të flasë sepse s'dua që ata ta dinë për çfarë flasim na. Kanë lojtarë shumë të rrezikshëm si Solomon që luan te Fulham, është një lojtar tejet i rrezikshëm”, pohoi ai.
Girrese thotë se Kosova ka mundur të ndodhet në një grup shumë të vështirë, por sipas tij, ‘Dardanët’ kanë gjasa të kualifikohen.
"Kemi mundur të jemi në një grup shumë më i vështirë, nuk po them që është i lehtë, por ka pasur edhe më rëndë. Qëllimi është të instalojmë te lojtarët idenë që të japim maksimumin. Pasi grupi nuk është më i vështirë i mundshëm, kemi gjasa për kualifikim. Do të provojmë ta instalojmë këtë ide te lojtarët që të jemi të vetëdijshëm për mundësinë që kemi në dy ndeshjet e radhës. Secilën lojë ta luajtur me maksimum ambicie”, tha ai.
Strategu francez ka folur edhe për rikthimin e Leart Paqardës në Kombëtaren tonë.
"Ardhja e Paqaradës e kemi pritur që disa kohë. Ka ardhur me entuziazmin për të luajtur”, theksoi Giresse.
Shala: Mërgim Berishën e kemi pritur katër vite
Ndërkaq, menaxheri i Kombëtares sonë, Bajram Shala, ka folur për Mërgim Berishën, i cili refuzoi Kosovën për t’iu bashkuar Gjermanisë.
“Mërgim Berisha? Mërgimin jemi duke e pritur që katër vite. Ishte pajtuar të vinte te Kosova në vitin 2019 kur ishte te Salzburgu. Kishim diskutuar me agjentin dhe na kishte premtuar që do të vinte. Kur dërguam ftesë për ato ndeshje kualifikuese, ai vendosi të luante me Gjermaninë U21 në Kampionatin Evropian dhe ne e mirëkuptuam. Kosova atij i ka ofruar gjithçka që mund t'i afrohet një lojtari, deri në patentshofer kemi shkuar që t'ia afrojmë, por tani ai tha se Gjermaninë e ka pasur gjithnjë ëndërr dhe mesa duket tani i është realizuar. Lojtarët po e përdorin Kosovën për t'i bërë presion Federatave të tjera”, tha Bajrami.