Kryeparlamentari grek pret Ramën: Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE
RTSH
Kryeministri Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Greqi për hapjen e ekspozitës me veprat e tij të artit, është takuar sot (21 mars) me kryetarin e Parlamentit helen, Costantine Tassoulas.
RTSH ka bërë me dije se në takimin mes Ramës dhe kryeparlamentarit Tassoulas, ky i fundit ka vënë theksin te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa garantoi mbështetjen e Greqisë në këtë drejtim.
Ndërsa kryeministri Rama nga ana e tij, u shpreh se urat e forta mes dy vendeve janë qytetarët grekë në vendin tonë dhe qytetarët shqiptarë në Greqi.
Pas takimit me kryeparlamentarin grek, Rama ka zhvilluar një vizitë të shkurtër në ekspozitën e Parlamentit.
Po ashtu, gjatë kësaj të marte, Kryeministri Rama do të takohet dhe me Presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou. Mësohet gjithashtu se po sot, do të mbahet forumi ekonomik ku do jenë të pranishme kompani të mëdha që veprojnë në të dyja vendet.
Ndërkohë ditën e djeshme (20 mars), Kryeministri Rama është takuar me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm, Nikos Dendias. Në këto takime, Rama shoqërohej nga Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Kryeministri grek ka deklaruar se Rama ndodhet në Athinë “si një artist dhe jo si kryeministër”.
Pas vizitës në ekspozitë, Mitsotakis dhe Rama kanë darkuar në Pallatin Maximos.
Po ashtu, gjatë ekspozitës së Kreut të qeverisë shqiptare në Pallatin Zappeio në Athinë, Rama shoqërohej nga familja e tij, bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre Zaho. Në ekspozitën e quajtur “Improvizimet”, kryeministri paraqiti vepra dhe skulptura mikse, ndërsa inaugurimi u krye nga Nikos Dendias.