Shqipëria kremton Sulltan Novruzi, festën më të rëndësishme të bektashinjve
Shqipëri

Shqipëria kremton Sulltan Novruzi, festën më të rëndësishme të bektashinjve

ATSH

Sipas sektit bektashian kjo ditë shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. 

Në botën Aleviane kjo ditë shënohet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. 

Gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.
 
Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. 

Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për të rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Në Shqipëri sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Pavarësisht se është një festë fetare e besimit myslyman, Sulltan Novruzi festohet edhe nga qytetarë të besimeve të tjera fetare. 

Harmonia dhe bashkëegzistenca paqësore mes këtyre besimeve është një nga vlerat e shqiptarëve të cilat vlerësohen nga mbarë bota.


MË SHUME NGA Shqipëri