Për shkak të angazhimit tjetër, nxënësit mbesin pa mësim|Video
Lajme

Për shkak të angazhimit tjetër, nxënësit mbesin pa mësim|Video

Edina Avdiu /RTK

Tash e 2 ditë një klasë e 3-të e shkollës fillore “Abdullah Shabani”, në Mitrovicë, nuk po zhvillon mësimin. Kjo për shkak se mësuesja ka lënë punën për të vazhduar një angazhim tjetër.

Zyrtarë të Komunës nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por i kanë thënë RTK-së se deri të hënën tjetër presin të bëjnë zgjidhje.

Zilja e shkollës cingëroi edhe sot si çdo ditë tjetër në shkollën fillore “Abdullah Shabani”, në Mitrovicë, duke i ftuar nxënësit për mësim. Por kësaj thirrjeje sot nuk iu përgjigjën nxënësit e klasës 3/3 të kësaj shkolle.

Ata kanë mbetur pa mësuese, pasi mësimdhënësja e tyre e la punën në shkollë për të vazhduar si asambleiste në Komunë.

Prindërit e këtyre nxënësve kanë thënë për RTK-në, prapa kamerës, se sot e dje nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë.

Kërkesa e tyre është që Drejtoria e Arsimit t'ua dërgojë një mësuese të rregullt që t’ua mësojë fëmijët.

Këta prind sot i kanë shkuar në zyrë drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu, ku edhe ia kanë paraqitur kërkesën e tyre.

Drejtoresha Kadriu nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës, por i ka thënë RTK-së se deri të hënën do ta zgjidhë këtë çështje dhe mësimi do të zhvillohet normalisht. Deri atëherë klasa 3/3 mbetet e mbyllur dhe nxënësit mbesin në pritje të mësueses.


MË SHUME NGA Lajme