Meta takim me pensionistët: Qeveria "Rama" nuk ju ka prioritet
Shqipëri

Meta takim me pensionistët: Qeveria "Rama" nuk ju ka prioritet

RTSH

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një takim me pensionistë të Tiranës ka shprehur angazhimin e partisë që ai drejton për të sjellë ndryshim dhe për të ndalur largimin e të rinjve dhe të rejave nga Shqipëria.

Meta deklaroi se pensionistët dhe të rinjtë nuk janë prioritet i qeverisë “Rama”. Kjo e fundit për kreun e partisë së Lirisë, ka në fokus vetëm shërbimin ndaj oligarkëve.

“Këtu nuk janë prioritet të rinjtë, as pensionistët. Ne e kemi buxhetin 2 herë më të madh se Kosova, por atje është prioritet qytetari, nuk janë prioritet oligarkët që këtu thithin të gjitha fondet publike. Kjo është qeveri e përkushtuar dhe në shërbim të oligarkëve.

Ne kemi çuar një ligj në parlament për indeksimin e pagave çdo vit në raport me rritjen ekonomike dhe inflacionin.  Ti japim fund filozofisë së qeverisjes së vendit, e cila sjell rritje të polarizimit social”, tha Meta.

Ky i fundit premtoi se më 15 Maj, Partia e Lirisë do japë mesazhin e fortë të ndryshimit dhe një qeverisje njerëzore.

Dhe kjo sipas tij, bëhet duke u krijuar mundësi punësimi qytetarëve, duke investuar në arsim cilësor dhe duke krijuar vende pune me paga dinjitoze.

“Do bëjmë çdo gjë për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi ynë. Kjo është dramë kombëtare dhe familjare. Kjo bëhet duke u krijuar mundësi të rinjve, duke i arsimuar në kushte më të mira, mundësi për punësim, me vende pune dhe paga dinjitoze. Më 15 maj japim mesazhin e fortë të ndryshimit dhe një qeverisje njerëzore”, tha ai.


MË SHUME NGA Shqipëri