Napoli feston, i gjithë qyteti vishet me ngjyrat e përfaqësueses
RTSH
Napoli ngjyroset gjithnjë e më shumë me ngjyrën e kaltër. Qyteti, i cili po e përjeton me shumë pritshmëri mbylljen e kampionatit (që sheh lojtarët e Spallettit të dominojnë renditjen), është gati të mirëpresë kombëtaren e Roberto Mancinit, që do të përballet me Anglinë në stadiumin Diego Armando Maradona.
Shumë iniciativa po gjallërojnë qytetin. Nga bluzat e ekspozuara e deri te shfaqjet e organizuara buzë detit. Gjithçka e ndriçuar në ngjyrë të kaltër.
Ndërmjet ballkoneve u instaluan pajisje të cilat bënë të mundur ekspozimin e bluzave të kombëtares, të prezantuara më parë përmes një eventi të quajtur ‘Nuvole d'Azzurro’.
Kombëtarja rikthehet për të luajtur në Napoli pas gati dhjetë vitesh. Hera e fundit ishte më 15 tetor 2013, kur ata barazuan 2-2 me Armeninë. Për të gjetur fitoren e Italisë në Napoli, duhet të kthehemi në 15 nëntor 1997, kur “Azzurri” (atëherë të udhëhequr nga Cesare Maldini) mposhtën Rusinë 1-0, në play-off për kualifikimin në Kupën e Botës 1998 në Francë. Pierluigi Casiraghi vendosi sfidën.
2500 tifozë anglezë do të jenë të pranishëm sonte në mbrëmje në stadiumin Diego Armando Maradona. Këtë e ka bërë të ditur prefekti i Napolit, Claudio Palomba.
“Në këtë rast ata do të mbërrijnë në një rend më të shpërndarë, disa me çarter ose fluturime të planifikuara, të tjerët në mënyrë të diferencuar”.
Kryebashkiaku Gaetano Manfredi, me anë të një urdhërese ka ndaluar shitjen dhe administrimin e pijeve alkoolike, në disa zona të qytetit, nga ora 7 e mëngjesit të së enjtes së 23 marsit deri në mesnatë, si dhe brenda stadiumit Maradona.