Përfundoi me sukses ushtrimi ndërkombëtar `Kosova Resolve 2023`
Lajme

Përfundoi me sukses ushtrimi ndërkombëtar `Kosova Resolve 2023`

Fadil Sertolli / RTKlive

Në kazermën e Komandës së Gardës Kombëtare të FSK-së, në Pomozatin, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e ushtrimit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Qendra Ndërkombëtare e Kërkim Shpëtimit të FSK-së “Kosova Resolve 2023”.

Përmes një njoftimi për media thuhet se në këtë ceremoni, në ditën e vizitorëve të veçantë, morën pjesë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv. ministri Shemsi Syla, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtori i NALT-it, Joachim Hoppe, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe ndërkombëtarë.

Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, Presidentja Vjosa Osmani përgëzoi për punën e shkëlqyer që ka kryer ekipi i FSK-së i kërkim-shpëtimit së bashku me kombet partnere.

Presidentja Osmani tha se FSK dhe Qendra Ndërkombëtare e Kërkim Shpëtimit po lëvizin me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara dhe se FSK po i tregon botës rëndësinë e shpëtimit të jetëve nëpërmjet kësaj Qendre, duke shtuar se fatkeqësia në Turqi tregoi tek të gjithë rolin e kërkim-shpëtimit në shpëtimin e jetëve.

Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij, tha se “Kosova Resolve 2023” është një ushtrim i një rëndësie të veçantë për vendin tonë dhe gjithë rajonin dhe se Kosova po bëhet një eksportuese e paqes dhe sigurisë dhe një kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për siguri dhe mbështetje humanitare në nivel global.

Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim Shpëtimit të FSK-së, John Doone, gjatë kësaj ceremonie bëri një prezantim të shkurtër të historikut, misionit dhe vizionit që ka kjo Qendër.

Në fund të kësaj ceremonie, Presidentja Osmani, Ministri Mehaj, Gjeneral Jashari dhe Doone shpërndanë certifikata për ekipet e vendeve pjesëmarrëse në ushtrim. 

Në ushtrimin ndërkombëtar “Kosova Resolve 2023”, kanë marrë pjesë ekipet e kërkim-shpëtimit nga Hungaria, Italia, Malta, Irlanda e Veriut, Portugalia, Turqia dhe Britania e Madhe.

Ekipet pjesëmarrëse dhe bashkëpunëtorë të Shoqatës Evropiane të Ekipeve Vullnetare të Mbrojtjes Civile (EVOLSAR), reagojnë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në ngjarje krizash dhe fatkeqësish.


MË SHUME NGA Lajme