Rama dhe Sunak renditin listën e çështjeve mes dy vendeve
RTSH
Sot 10 Downing Street u vizitua për herë parë nga një kryeministër shqiptar. Vizita u krye nga kryeministri Edi Rama i cili u prit nga homologu i tij britanik, Rishi Sunak.
Në bisedën e shkurtër midis tyre, u renditën disa nga çështjet që shqetësojnë Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë, siç është emigracioni i paligjshëm.
Për këtë arsye, kryeministri britanik Rushi Sinak që në fjalët e para evidentoi problematikën e emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve të grupeve kriminale.
Duke iu referuar luftës ndaj bandave kriminale, Sunak iu drejtua kryeministrit Rama se me qeverinë shqiptare do të diskutohet me gjerësisht për kthimin e shqiptarëve të burgosur.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim shumë të fortë dhe synojmë ta mbajmë këtë raport me vizitën tuaj këtu. Vitin e kaluar ne nënshkruam një komunikatë për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me këtë.
Por do ta bisedojmë më pas dhe çfarë mund të bëjmë më shumë në kthimin e të burgosurve. Por gjithashtu ka edhe shumë për raportet tona për të cilat duhet të flasim, për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe sigurinë, veçanërisht mbi sigurinë nga sulmet kibernetike”, u shpreh Sunak.
Nga ana e tij, Rama tha se dy vendet do forcojnë bashkëpunimin për të goditur për të goditur trafikantët dhe grupet kriminale në mënyrë që njerëzit e pafajshëm mos të bien pre grupeve kriminale.
“Siç e dini kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në këtë godinë historike. Është një moment i veçantë në bashkëpunimin tonë.
Siç e thatë edhe ju, ne jemi duke bashkuar forcat me vullnet dhe bindje të plotë se duhet të bëjmë të pamundurën për të goditur rrjetet kriminale. Gjithashtu, të shmangim përfshirjen e njerëzve të pafajshëm apo që të bien pre e këtyre rrjeteve”, theksoi Rama.
Rama vuri në dukje se jo të gjithë shqiptarët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar janë trafikantë teksa solli shembullin e këngëtares së njohur, Dua Lipa që sipas kryeministrit shpreh simbolikën e shumë shqiptarëve që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe për të kërkuar një jetë më të mirë.
“Në të njëjtën kohë, ju falënderoj sepse është një mundësi të nënvizoj se siç jo të gjithë britanikët janë James Bond apo Mr. Bean. Dhe jo të gjithë shqiptarët janë si personazhet e filmit “Taken” . Ai djali që vjen me gomone nuk është thjesht shqiptar por është pjesë e panoramës së madhe. Dua Lipa nuk është thjesht këngëtare britanike, por është edhe një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu, siç kanë ardhur këtu shumë të tjerë për të ndërtuar, për të gatuar, për të shërbyer si infermierë, apo për të kënduar. Duam që t’ju sigurojmë se ky komunitet ndihet jo vetëm i sigurt por edhe i nderuar këtu. Dhe mollët e kalbura janë në objektivin tonë të përbashkët për t'u luftuar dhe ta fitojmë këtë betejë.
Siç e thatë edhe ju, ne kemi interesin tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe duam të bëjmë më të mirën së bashku. Dhe dua t’ju ftoj për një vizitë në Tiranë sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë që në kohën e Winston Churchill”, përfundoi Rama.