Bie intensiteti i pagesave të tatimit në pronë|Video
Qendresa Duraku /RTK
Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë faturat e tatimit në pronë. Mosqartësimi se çfarë do të ndodhë me këto fatura dhe nëse do të ketë lehtësim të barrës së qytetarëve, ka ndikuar edhe në intensitetin më të ulët të pagesës së faturave. Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se, me gjithë kërkesën që faturat që u janë dërguar qytetarëve të revidohen dhe gjithçka të kthehet në pikën zero, nga Ministria e Financave ende nuk kanë marrë një përgjigje.
Është muaji mars, e qytetarët nga komuna Prishtinës po vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë me rritje.
Ndonëse të paktë në numër, ata të cilët po e kryenin këtë detyrim, shprehen të indinjuar për këtë rritje të tatimit në pronë.
"Unë qysh po e shoh për veti 100 % është shtrenjtua. Vitin e kaluar kam paguar 800 euro, e tani 1870 euro për një vit, kjo është e tepërt", thotë Hajrush Ismajli.
"Unë i kuptoj të gjitha gjërat deri diku, 20 % besoj që ia ka vlejtur me qenë më shtrenjtë, por 100 % nuk e di sa është në rregull", tha Milazim Rrustemi.
Intensitetin më të ulët të pagesës së faturave të tatimit e konfirmon sektori i Tatimit në Pronë në Komunë të Prishtinës.
“Pagesat e tatimit në pronë po bëhen normalisht por me intensitet më të ulët, ndoshta arsyeja e paqartësive të krijuara në lidhje me vlerësimin që është bërë për vitin 2023 dhe rritja e tatimit në pronë që ka reflektuar nga vlerësimi i bërë nga Departamenti i Tatimit në Pronë, por, megjithatë, për këta 3 muaj kemi një rënie të lehtë të pagesave rreth faturave të tatimit në pronë”.
Nga Instituti GAP bëjnë të ditur se pikërisht për shkak të paqartësisë edhe në komuna tjera qytetarët po hezitojnë ta kryejnë këtë proces.
“Fillimisht është thënë që do të falen 100 euro, pastaj është thënë që jo se nuk po mund të falen 100 euro, pastaj është thënë se hajde po shikojmë mundësitë që këtë proces ta pezullojmë dhe t'i referohemi normave të vitit të kaluar dhe as kjo nuk është ndërmarr dhe në fund është deklaruar Ministria e Financave që ligjin për Tatimin në Pronë do ta dërgojë në rishqyrtim përkatësisht në plotësim ndryshim”, tha Bekim Salihu, nga Instituti GAP.
Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se më gjithë kërkesën që faturat e cilat u janë dërguar tek qytetarët të revidohen dhe gjithçka të kthehet në pikën zero.
" Në bazë të informatave që kemi është premtuar që do të hartohet një ligj i cili do t'ia mundësoj qytetarëve faljen e 100 eurove të para nga tatimi në pronë por ende nuk kemi asgjë konkrete”, tha Sazan Ibrahimi, drejtor i ASK-së.
Përgjigje nga Ministria e Financave nuk ka arritur të marrë as RTK.