Deri tani vetëm mbi 25% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë
Lajme

Deri tani vetëm mbi 25% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Vetëm pak më shumë se 25% për qind e zyrtarëve publikë e kanë dorëzuar deklarimin e pasurisë, që këtë vit bëhet edhe online. Deklarimit i rregullt vjetor i pasurisë i filluar me 1 mars përfundon në fund të muajit. Për mosdeklarim të pasurisë apo deklarim të rrem, zyrtarët mund të dënohen me gjoba dhe me burgim.

Sot një javë përfundon afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, i filluar më 1 mars. Deri të enjten në mesditë, obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë e kanë përmbushur plotësisht pak më shumë se 25%  nga 4 mijë e 789 zyrtarë publikë që duhet të bëjnë këtë. Sipas të dhënave të së enjtes nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, 1 mijë e 276 zyrtarë e kanë dorëzuar deklarimin e pasurisë përmes platformës elektronike, teksa 1 mijë e 372 zyrtarë kanë filluar procesin.  

Radio Kosova ka pyetur APK-në se a e kanë deklaruar pasurinë: presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, deri më 23 mars? Deri në përgatitjen e këtij materiali nga AKP nuk kanë kthyer përgjigje.  

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se zyrtarët që duhet të deklarojnë pasurinë, këtë duhet ta bëjnë pa neglizhencë dhe brenda afateve ligjore.

 “Definitivisht se zyrtarët publikë duhet ta kenë parasysh dhe ta dijë rëndësinë e deklarimit të pasurisë brenda afateve të përcaktuar me ligj. Në të kundërtën, nëse nuk kemi deklarim brenda këtij afati atëherë të njëjtit mund të përballën edhe me veprime ligjore. Shumë shpesh ka ndodhur që persona të caktuar janë gjobitur apo edhe dënuar për shkak se nuk e kanë bërë deklarimin apo këtë e kanë bërë me disa ditë vonesë”, tha Shala.  

Për zyrtarët që brenda afateve nuk deklarojnë pasurinë apo nuk e bëjnë fare këtë, ka edhe pasoja, të cilat i thekson përmes një video-adresimi, drejtori  i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

 “Për vonesat deri në 15 ditë, ligji parasheh shqiptimin e gjobës mandatore deri në 500 euro. Në rast të mos deklarimit të pasurisë, zyrtarëve përveç gjobës iu përgatiten edhe kallëzime penale dhe mund të dënohen me burgim deri në tri vite. Ndërsa, në rast të deklarimit të rrem, zyrtarëve u përgatitet kallëzim penal dhe mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në pesë vite”, thotë ai.

Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë, bëhet prej vitesh në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.


MË SHUME NGA Lajme