Haxhiu: Ligjin e kemi bërë në konsultim me Komisionin e Venecias/Video
M.Sh/RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar të shtunën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ajo në një konferencë për media tha se për këtë Ligj nuk kanë vepruar kokë në vete, por janë konsultuar me Komisionin e Venedikut dhe partnerët ndërkombëtarë, derisa e kundërshtoi mundësinë që të japë dorëheqje.
Ajo tha se ende nuk e kanë pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ende nuk e kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të njoftimit të tyre të publikuar ku përmblidhen të gjeturat kryesore duam të ju njoftojmë për pikëpamjet tona në lidhje me këto të gjetura”, tha Haxhiu, e cila po ashtu e ka konsideruar paradoksale pikën e parë të vendimit të Kushtetueses.
Madje tha se është befasuar nga fakti se si Gjykata Kushtetuese e ka përmendur se përzgjedhja e anëtarit nga Avokati i Popullit është antikushtetues.
“Për neve kjo pikë ka qenë shumë e habitshme”, u shpreh ajo.
“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është koorporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’i ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve”, tha ajo.
Befasi e ka cilësuar edhe delegimin e një anëtari jo prokuror nga Avokati i Popullit.
“Kjo është tërësisht befasuese për ne. Komisioni i Venecias ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve jo prokurorë mund të rezervohen për institucionet e jashtme të pavarura, dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit”, ka shtuar Haxhiu, e cila tha se është në dorën e presidentes nëse e dekreton apo jo, kryeprokurorin e shtetit.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.