Tym të zi para qeverisë, PSD kundërshton marrëveshjen me Serbinë
Foto: Edona Podvorica/RTK
Lajme

Tym të zi para qeverisë, PSD kundërshton marrëveshjen me Serbinë

Edona Podvorica/RTK

Ka përfunduar protesta e Partisë Socialdemokrate e cila kundërshton marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizim. Protestuesit e kësaj partie vendosën flamuj të bardhë para objektit të Qeverisë së Kosovës si dhe lëshuan tym të zi.

Kryetari i kësaj partie Dardan Molliqaj tha se kjo marrëveshje është pa mbështetje politike, pa legjitimitet dhe kundër interesave të popullit. Sipas tij, marrëveshja është arritë, kur asnjë ndryshim nuk ka ndodhur.

“Kurrgjë s’ka ndërruar në Serbi, që më ndërruar qëndrimin Kosova. I vetmi që ka ndryshu kryeministri  i cili tani po e don pushtetin më shumë se sa shtetin. Për ne është e qartë se cilën Kosovë e duam. E duam Kosovën të gjithë pa dallime, e duam Kosovën e UÇK-së.. Atëherë kur është dasht ta përdor për kundërshtarët e vet politikë, e ka pagëzuar Asociacionin si Zajednicë.  Tani që u themelua, Asociacionin po e quan vetë menaxhim”, u shpreh Molliqaj.

Ai tha se Qeveria Kurti pikërisht pse e ka shumicën po e keqpërdor interesin e asaj shumice. Derisa, Molliqaj ka përmendur edhe idenë për ndryshim kufijsh.

“Refuzimi i marrëveshjes së ripërcaktimit të kufijve, duke e etiketuar Shtëpinë e Bardhë, duke e përjashtuar Luginën e Preshevës dhe në anën tjetër duke e pranuar Zajednicën në vilën e Titos nuk është e rastësishme”, ka thënë Molliqaj.

Protesta kaloi e qetë.

Nis protesta e PSD-së kundër marrëveshjes së Ohrit

Ka nisur në Prishtinë protesta e Partisë Socialdemokrate për të kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit. E thirrur nga kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, protesta organizohet pasi kjo marrëveshje, sipas tij, është pa mbështetje politike, pa legjitimitet dhe në kundërshtim me interesat e popullit.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale për mbarëvajtjen e protestës.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë, e cila gjithashtu bënë thirrje për protestë të qetë.


MË SHUME NGA Lajme