Nikolla: E mbështes dialogun si rrugën e vetme për njohje të ndërsjellë
M.Sh/RTKlive
Pas takimit me presidentin Bajram Begaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdoi takimin në Parlament, ku u prit nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila takimin me shefin e qeverisë kosovare e cilësoi si vëllazëror.
Ajo në fillim e përgëzoi kryeministrin Kurti për punët e mira, siç tha Nikolla, që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe ShBA për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën evro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”, tha Nikolla.
Po ashtu ajo tha se e mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve.
“Vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh kryeparlamentarja Nikolla.
Ndërsa kryeministri Kurti e falënderoi kryetaren Lindita Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh.
Kryeministri Kurti, ndërkaq vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
Kurti po ashtu ka treguar se institucionet e Kosovës janë të vendosura për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE dhe SHBA.