Atentati ndaj Top-Channel, Rama: Agresioni kriminal kërkon përgjigje
BKT
Foto: RTSH
Shqipëri

Atentati ndaj Top-Channel, Rama: Agresioni kriminal kërkon përgjigje

RTSH

(Plotësuar) “Agresioni kriminal ndaj Top Channel, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese”. Është ky reagimi i Kryeministrit Edi Rama, ndaj atentatit që ndodhi pas pak mesnate ndaj ambienteve të Top-Channel, që rezultoi me vrasjen e rojës së sigurisë.

Teksa shpreh ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, Rama shkruan në rrjetin social Twitter se bashkësia e Top-Channel meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment shqetësues.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësuese”, shkruan Rama në Twitter.

Ngjarja është dënuar dhe nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila deklaron se sulmi me armë ndaj Top-Channel dhe vrasja e një personeli të sigurisë, është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.

“Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola. Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!”, tha Nikolla.

Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj ambienteve të Top-Channel, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, 60-vjeçarin P.K.

Qëllohet me armë ndaj ambienteve të Top-Channel, vritet roja i sigurisë

Të shtëna me armë janë regjistruar pak pas mesnate në drejtim të ambienteve të Top-Channel, në Mëzes. Persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në ndaj ambienteve të Top-Channel e për pasojë kanë vrarë rojën e sigurisë.

Teksa ende nuk dihet shkaku i ngjarjes, policia bën me dije se ka humbur jetën 60-vjeçari P.K., punonjës i një shoqërie për ruajtjen e objekteve fizike. Sakaq, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).”, njofton Policia.


MË SHUME NGA Shqipëri