Ngjarja në “Top Channel”, reagimet
ATSH
Politikanë të lartë të vendit, deputetë të Kuvendit, drejtues të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe partive opozitare kanë reaguar sot për ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë “Top Channel”.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka kërkuar që ngjarja të zbardhet dhe autorët të vihen para drejtësisë.
“Ngjarje e rëndë sulmi me armë ndaj medias kombëtare “Top Channel” ku për pasojë humbi jetën edhe roja i sigurisë . I shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit dhe uroj që ngjarja të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit e këtij agresioni të vihen sa më shpejt para drejtësisë“, shkruan Gjiknuri në rrjetet sociale.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe e ka konsideruar ngjarjen të rëndë dhe kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.
“Sulmi me armë ndaj Top Channel është jo thjesht kriminal, por me i egri ndaj një mediaje në Shqipëri. Duke patur të shënjuar në mendje, humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias me të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe me i rëndë. Nuk është një ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo. Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend. Ndaj secili sot duhet të dije autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona. Mbështetje maksimale Policisë së Shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë të autoreve, tani, sa me parë. Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë. Ngushëllime familjes së tij. Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës te tij. Patjetër që jeta juaj vjen e para, por liria është çështja jonë. Kurajo“, shkruan Braçe.
Kryetari i në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ngjarjen e rëndë në “Top Channel“.
Alibeaj u bëri thirrje në emër të PD-së organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë.
“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel“, shkruan Alibeaj.
Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot për ngjarjen e ndodhur në “Top Channel”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se, “bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë”.
“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë. Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve. Dhe do të marrë fund, shumë shpejt”, shkroi Meta.
Rreth orës 01:00 të pasmesnatës së të dielës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Channel”. Si pasojë e të shtënave humbi jetën roja i sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).























