Plagosja në Prishtinë, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë
BKT
Lajme

Plagosja në Prishtinë, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Dy persona janë plagosur në qendër të Prishtinës mbrëmjen e së hënës, njëri si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në QKUK, Avdush Bajgora, ka pohuar për RTK se dy personat e plagosur, në mbrëmjen e sotme, janë jashtë rrezikut për jetë.

“Pacientët në fjalë, i cili njëri ka qenë i plagosur me armë zjarri në regjionin e poshtëm të këmbës, një plagë tejshpuese e që për çështje observimit është ndalur në klinikën e ortopedisë, ndërsa tjetri ka qenë i plagosur me një mjet mprehës në regjionin e fytyrës. Edhe ky ka qenë më parametra vitale stabile, por që momentalisht është duke u kryer një intervenim kirurgjik nga kirurgët maksilofacial dhe, sipas të gjitha gjasave, do të ndalet për observim në klinikën maksilofaciale”, tha mjeku Avdush Bajgora, për RTK.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar më herët për RTKlive se dy persona janë lënduar, njëri nga ta nga të shtënat me armë zjarri.

“Rreth orës 20:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Qamil Hoxha në Prishtinë... Bazuar në informacionet e para raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit”, ka deklaruar Ahmeti.

 

Të shtëna me armë në qendër të Prishtinës, dy të plagosur

Dy persona janë plagosur në qendër të Prishtinës, në rrugën Qamil Hoxha, mbrëmjen e së hënës, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për RTKlive se dy persona janë lënduar nga këto të shtëna.

“Rreth orës 20:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë, në rrugën 'Qamil Hoxha', në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka deklaruar Ahmeti.

“Bazuar në informacionet e para, raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë”, ka thënë Ahmeti për RTKlive.


MË SHUME NGA Lajme