Presidentja në Vjenë: Kosova e integruar, stabilitet për rajonin |Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Presidentja në Vjenë: Kosova e integruar, stabilitet për rajonin |Video

Jeton Musliu/RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu,në një debat të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe Ambasada e Kosovës në Austri, para diplomatëve të ndryshëm, mbajti një ligjëratë mbi situatën aktuale politike në Ballkanin Perëndimor e në veçanti në Kosovë.

Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ajo  tha se janë dy Serbi.  “Njëra Serbi është që zotohet dhe nënshkruan marrëveshje dhe Serbia tjetër është që nuk i zbaton marrëveshjet”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo u shpreh se përkushtimi që ka Kosova së bashku me aleatët e saj, që vendi të përfshihet në organizatat ndërkombëtare, është shuam e fortë.

“Anëtarësimi do të çonte në stabilitet edhe më të madh Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani-Sadriu.

“Një Kosovë e suksesshme do të thoshte më shumë stabilitet, e një stabilitet në Ballkan, është  më shumë stabilitet në Evropë,  e sa më shumë stabilitet në Evropë,  do të ndikonte në stabilitetin global”, tha presidentja.

“Është shumë e rëndësishme që të lëvizim në integrimin e Kosovës”.

Në këtë pikë, ajo tha se kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, iu bashkuan NATO-s, ka bërë që stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, në masë të madhe të rritet.

“Nëse Kosova bëhet anëtare, atëherë do të kishte edhe më shumë stabilitet”, u shpreh Osmani-Sadriu, para diplomatëve të ndryshëm.

Për më tepër, ajo deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të ndihmonte rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Thërras vendet anëtare që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, u shpreh ajo, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në organizatat e ndryshme, do të thoshte më shumë të drejta për qytetarët.“Integrimi në Interpol do të bënte që të ishte më efektive lufta ndaj krimit të organizuar, pastaj anëtarësimi në UNESCO do të thoshte më shumë mbrojtje për monumentet e kulturës, kurse anëtarësimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, do të thotë se do të kishte më shumë ndihmë e më shumë shërbime për qytetarët në aspektin shëndetësor”.

Prandaj, presidentja u shpreh se anëtarësimi në organizata të tilla, sjell më shumë siguri për njerëzit.

“E fundit, anëtarësimi në OKB, do të thoshte mbyllje e një kapitulli për Ballkanin Perëndimor dhe përfundimisht tërë rajonit do to i jepte mundësi të shihte përpara,  një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja dhe gjithë në rajonin”, tha Osmani-Sadriu.

“E gjithashtu, për fëmijët tanë që të mos kalojnë nëpër ato që ne kemi kaluar”.

Presidentja tha se Kosova është tregim suksesi dhe për të duhet të jenë krenarë jo vetëm kosovarët por i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Prandaj, ajo tha se integrimi do të ndihmonte jo vetëm Kosovën por tërë rajonin, që të kishte   më shumë stabilitet.

 


MË SHUME NGA Lajme