Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, Escobar viziton Tiranën
/rtsh.al/
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet të jetë në Tiranë në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit. Zyrtari i lartë amerikan pritet të qëndrojë në Tiranë nga data 11 – 13 prill.
Escobar pritet të ketë takime me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike ai do të takojë, Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabaku.
Vizita e fundit e zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar në Tiranë ishte më 9 dhjetor 2021, pak muaj pasi DASH kishte marrë vendimin për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish kryeministrit Sali Berisha e familjes së tij, duke e futur atë në listën e zyrtarëve “të përfshirë në korrupsion në nivel të lartë”.
Vendimi i majit të DASH u pasua me vendimin e Lulzim Bashës, atëherë kryetar i PD-së për të lënë Berishën jashtë grupit parlamentar. Kjo nxiti më pas përçarjen e PD-së dhe ndarjen e saj në dy grupime dhe dorëheqjen e Bashës. Aktualisht demokratët janë të ndarë mes "Rithemelimit" dhe Partisë Demokratike me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj.
Në zgjedhjet e 14 majit, PD e Alibeajt do të garojë si subjekt zgjedhor, ndërsa grupimi i Berishës do të garojë si koalicion me Metën, një parti e majtë, nën logon "Bashkë fitojmë".























