Rama: UÇK nuk do të mundet nga padrejtësia
B. H. / RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas seancës së sotme gjyqësore në Hagë, ku avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit kanë paraqitur fjalën e tyre rreth pretendimeve të prokurorisë për krime gjatë luftës.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ka konsideruar si ‘një çorbë të pagëlltitshme”.
Rama ka thënë se ata që udhëhoqën luftën çlirimtare të Kosovës po akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive mbi trafik organesh.
“Por prapëseprapë është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur, kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh! Megjithatë UÇK nuk do të mundet nga padrejtësia”, ka shkruar Rama në rrjetin social në Facebook, duke e shoqëruar këtë postim me një thënie të ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë seancës së sotme: “Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhe nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr”.























