Gjykimi në Hagë, analistët: Gjysma e këtij procesi tanimë është fituar
BKT
Lajme

Gjykimi në Hagë, analistët: Gjysma e këtij procesi tanimë është fituar

N.Mekolli /RTKlive

Të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kurse në ditën e dytë të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, para gjykatës fjalën e tyre e thanë mbrojtësit e të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, dhe Rexhep Selimit, ndërsa nesër do të flasë mbrojtësi i Jakup Krasniqit.

Nuri Bexheti, profesor, në emisionin “RTK Prime” në RTK, tha se e vërteta vonon, por del në shesh. “Qëndrimi i këtyre burrave, drejtues të shtetit, akëtorëve kryesorë të shtetndërtimit, të ulen dhe t'u mvishen gjitha këto të pavërteta është një fatkeqësi, por kjo do të nxjerrë në shesh sakrificën për lirinë e Kosovës dhe pafajësinë e të akuzuarve”, tha Bexheti.

Sipas tij, shoqëria duhet të shohë se çfarë dhune, presioni është bërë nga Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës, se çfarë sakrificash janë bërë për lirinë e vendit.

“Duhet të shihet se nuk ka pasur trafikim organesh, nuk ka pasur “Shtëpi të Verdhë”, kjo nuk ka të bëjë me UÇK-në. Ky proces do të bëjë që brezi i ri të kthjellet dhe të bindet se çfarë sakrificash janë bërë dhe kjo nuk ka qenë kollaj”, tha tutje Bexheti.

Sipas tij, gjysma e këtij procesi tani më është fituar, me rënien e akuzave për trafikim organesh.

Kurse, Muhamet Mavraj publicist, tha se ky është një nga proceset më të rëndësishme për historinë e Kosovës. “Sot kishim tri paraqitje brilante të mbrojtësve të të akuzuarve. Paraqitjet hyrëse të prokurorëve dhe mbrojtësve dëshmuan për gjasat e mëdha që kjo prokurori të ndihet e thyer dhe besoj se ajo e ka ndier që sot këtë thyerje. Pretendimet e Dick Martty-t mendoj se kanë rënë, mashtrimet e Prokurorisë po bien, sepse ato janë ngritë me trillime, Prokuroria është shërbye me fakte e dokumente serbe. Mendoj se pika për trafikim organesh ka rënë”, tha Mavraj në emisionin “RTK Prime”.

Sipas tij, Prokuroria ka hartuar një akuzë falëse, të marrë “Copy paste” nga Serbia dhe ai thotë se beson se Kosova që sot mund të ndihet si palë fituese.

Këto fakte të prezantuar nga Prokuroria, sipas Mavrajt, kanë dështuar edhe gjatë gjykimit të mëhershëm ndaj Fatmir Limajt, si "Rasti Kleqka" e shumë raste të tjera.

“Qëllimi i kësaj Prokurorie është që faktet të fshihen dhe UÇK-në ta paraqesin si një 'Ndërmarrje e Përbashkët Kriminele'”, tha pos tjersah Mavraj.


MË SHUME NGA Lajme