Një polic dyshohet të ketë qenë i përfshirë në plagosjen në veri
BKT
Lajme

Një polic dyshohet të ketë qenë i përfshirë në plagosjen në veri

A.B/ RTKlive

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar një zyrtar policor i cili dyshohet se është përfshirë në plagosjen e një personi në veri të hënën.

Po ashtu Policia njofton se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.
 
Policia e Kosovës,  njofton se si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.
 
"Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast. Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale", njofton Policia.
 

Policia e Kosovës nuk është përfshirë me armë zjarri në veri të vendit

Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se në veri të vendit ka plagosur një person në mbrëmjen e 10 prillit. Në një reagim publik në Facebook, Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.

Policia e Kosovës me datë 10.04.2023 rreth orës 23.48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit.

Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.

Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij.

Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.

Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.

"Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës", njofton Policia.

 


MË SHUME NGA Lajme