Osmani: Arbëreshët, shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar!
RTKlive
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arbëreshët janë shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar!
"Mirënjohëse për mikpritjen vëllezërve e motrave arbëreshe. Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve. Falenderoj komunën e Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”. Ky çmim është mirënjohje para së gjithash për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar. Po ashtu, në zemër të Arbërisë, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, inauguram sheshin, i cili e mban emrin e Republikës sonë, sheshi “Kosova”. Nga sot, kemi një copëz Kosove në zemër të Kalabrisë", ka shkruar ajo në 'Facebook'.
Osmani ka arritur sot në Kalabri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka arritur sot në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.
Në një video të postuar në faqen e saj zyrtare të rrjetit social Facebook, ajo është mirëpritur atje.
Ndryshe dje është bërë e ditur se në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t'i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.
Po ashtu në njoftimin të dhënë dje nga zyra për informim e Presidencës, Osmani gjatë qëndrimit në Kalabri, do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshe të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.























