14 prilli caktohet Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës
BKT
Në Fokus

 14 prilli caktohet Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

E. Hoti/ RTKlive

Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

 “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti tha sot para kabinetit qeveritar,  se ky vendim është për njohjen e dhimbjes dhe vuajtjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Duke njohur dhimbjen e grave dhe vajzave, por edhe të djemve dhe burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me presidenten Vjosa Osmani, propozojmë caktimin e datës 14 prill si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit”,  theksoi Kurti.

Ndryshe sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit janë rreth 20.000 raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave serbe.

Që nga viti 2014, kur është miratuar legjislacioni, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë mund të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë një pension prej 230 eurosh.

 


MË SHUME NGA Në Fokus