“Gazetta dello Sport”: Inter ëndrrash
BKT
Sport

“Gazetta dello Sport”: Inter ëndrrash

RTSH

Interi duket se tashmë e ka hipotekuar kalimin në raundin gjysmëfinal të Ligës së Kampioneve, atje ku prêt fituesen e çiftit Milan – Napoli.

Dy gola në pjesën e dytë të ndeshjes në “Da Luz” të Lisbonës përballë Benfikës, që deri në këtë fazë nuk njihte asnjë humbje në shtëpi, ka bërë të lumtur jo vetëm zikaltërit, por të gjithë ambientin në Itali. Barela e Lukaku kanë mjaftuar që titujt e medieve sportive italiane të jenë bombastike.

“Gazetta dello Sport” në faqe të parë ka titullin “Inter ëndrrash”. Tuttosport, edhe për shkak të afërsisë me Juventusin e Torinon, e ka si titull të dytë Interin, teksa e ka cilësuar “Inter, për t’i hequr kapelën”. Corriere dello Sport është përqendruar tek trajneri i zikaltërve, Simone Inzagi. “Inzaghisssimo”.

Sigurisht mediet e tjera ndërkombëtare janë të përqendruar me fitoren e Manchester Cityt ndaj Bayern Munich, kurse në Itali e enjtja dhe e premtja do të jetë tërësisht për Kupat e Evropës.

Pas Milan – Napoli, të enjten në Europa Ligë, Feyneord – Roma e Juventus – Sporting Lisbonë, kurse në Konferencë Ligë, Leh Poznan – Fiorentina. Si rrallëherë në vitet e fundit, gjashtë ekipe italiane në Evropë e shumë për t’u diskutuar e folur.