Sonte Kosova-Polonia, live në RTK
BKT
Sport

Sonte Kosova-Polonia, live në RTK

F.Bytyqi/RTKLive

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave, sonte do të përballet me Poloninë.

‘Dardanet’ dhe polaket do të ballafaqohen në kryeqytetin tonë, në ndeshjen e dytë në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Botërorin e këtij viti, ndeshje kjo që transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Hendbollistet tona janë të përkushtuara që të japin maksimumin në ndeshjen e vështirë me Poloninë, që zhvillohet sonte prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Javën e kaluar Kombëtarja jonë pësoi 36:22 në ndeshjen në Poloni. Ditëve të kaluara është punuar që të përmirësohen gabimet e shfaqura në ndeshjen e parë, ndërsa në shtabin teknik janë të kënaqur me punën e bërë.

Edhe hendbollistet janë optimiste për paraqitje të denjë, ndërsa kanë premtuar luftë sportive nga fillimi e deri në fund për të prezantuar sa më mirë ngjyrat e shtetit tonë.

Cilësia e Polonisë nuk kontestohet, por me përkrahje nga tribunat rezultati pozitiv është më i mundshëm suksesi.

Me arritje në fazën e dytë kualifikuese për Botëror, Kombëtarja jonë ka regjistruar sukses historik.

Tani lojtaret tona llogaritin në përkrahje të zëshme nga tribunat për të konfirmuar ngritjen e madhe të bërë në vitet e fundit.