Nuk gabojnë Real Madrid e Milan
Uran Krasniqi / RTKLive
Dy skuadrat më të trofeshme në Champions League, Real Madrid dhe Milan, nuk kanë gabuar në ndeshjet e para të çerekfinaleve të Champions League. Kanë fituar kundër Chelseas, respektivisht kundër Napolit.
Në "Santiago Bernabeu" madrilenët kanë mposhtur një Chelsea të gjendur në rikomponim të skuadrës nga ana e Frank Lampard pas shkarkimit të Graham Potter. Ndeshja është mbyllur me rezultat 2-0.
Karim Benzema ka kaluar vendasit në epërsi në minutën e 22-të pas asistimit nga Vinicius Junior. Në pjesën e dytë Real Madrid përmes Marco Asensio ka shënuar për shifrat 2 me 0, rezultat me të cilin është kryer dhe ndeshja. Nga minuta e pesëdhjetë e nëntë anglezët kanë mbetur me dhjetë lojtarë pasi Chilwell ka lëshuar fushën pas ndëshkimit me karton të kuq. 
Ndërkohë në "San Siro" Milan ka fituar minimalisht kundër napolitanëve. Bennacer ka realizuar golin e vetëm në minutën e dyzetë. Napoli ka tentuar qa ta barazojë rezultatin përmes Elif Elmas e Kvaratskhelia, por pa sukses. Njëzet minutat e fundit napolitanët kanë luajtur me një lojtar më pak meqë Zambo Anguissa është nxjerrë me karton të kuq.
Ndeshjet e dyta zhvillohen pas një jave.























