Zymi: Në Kosovë askush nuk është dënuar për degradimin e mjedisit
Berianë Mustafa/Radio Kosova
Në Kosovë askush nuk është dënuar për degradimin e mjedisit dhe degradimet e qyteteve që janë bërë viteve të fundit. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën aktivistja e platformës “Qytetari aktive”, Flutra Zymi. Ajo thotë se vetëm me aktivizim të qytetarëve mund të ndërtohet një shtet i mirëfilltë dhe i barbarët për qytetarët.
Radio Kosova: Cilat janë disa prej lëvizjeve të qytetarisë aktive në Kosovë?
Flutra Zymi:Nuk do ta quaja lëvizje, por është më shumë një platformë, e cila ka qenë ide e imja së bashku me disa qytetarë të tjerë të profesioneve të ndryshme, ku e kemi ndërtuar si një platformë vullnetare që t’i adresojmë çështjet që na pengojnë, që janë kolektive dhe që kanë të bëjnë me korrupsion dhe keqpërdorim të buxhetit të Kosovës dhe njëkohësisht me shkeljet ligjore. Kemi pasur raste të ndryshme, ku së bashku me qytetarët në bazë të lajmërimeve që bëhen, i përcaktojmë rastet që janë më urgjente. Deri më tani jemi marrë më shumë me krimet, ose keqpërdorimet që janë bërë në natyrë, në mjedis. Kemi bërë padi për degradimin që është bërë në parkun dhe ujëvarat e Mirushës, nga një projekt që ka filluar nga Komuna e Klinës dhe më pastaj është mbështetur dhe përkrahur financiarisht nga Ministria e Mjedisit. Më pastaj kemi bërë padi për një park të aventurave që është dashtë të nisë të ndërtohet në Parkun e Gërmisë, e që është peizazh i mbrojtur, edhe aty është masha e sigurisë derisa të shqyrtohet lënda. Pastaj kemi bërë prapë padi ndaj Komunës së Prishtinës, për Gërminë, për rastin e Festivalit “Sunny Hill,” i cili është mbajtur pa asnjë leje mjedisore. Pra, për një vit e gjysmë qytetarët aktivë i kanë adresuar këto çështje dhe i kanë shkuar deri në fund. Tash mbetet nga organet e drejtësisë t’i marrin parasysh dhe ne jemi në pritje.
Radio Kosova: Cilat janë disa nga tema dhe çështjet që përfshihen nga lëvizjet e qytetarisë aktive në Kosovë?
Flutra Zymi: I përmenda këto tri raste, sepse këto kanë përfunduar në prokurori, por kemi edhe raste të tjera që jemi duke i monitoruar ndryshimet që janë duke ndodhur në sektorin e kulturës, specifikisht në fushën e teatrit dhe kinematografisë. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë sukses që të themi se na kanë lejuar së paku t’i monitorojmë çështjet që i kemi ngritur. Pra, jemi tërësisht të injoruar nga Ministria e Kulturës si qytetarë aktivë në këto dy aspekte.
Radio Kosova: Si kanë ndikuar lëvizjet e qytetarisë aktive në zhvillimin e Kosovës në kohët e fundit?
Flutra Zymi: Jo vetëm në Kosovë, por në krejt botën vetëm aktivizimi i qytetarëve, reagimi i tyre për një ngritje të standardit të jetës mund ta sjellë ndryshimin. Pra, pritja që partitë politike mund ta bëjnë këtë ndryshim, nuk ekziston. Në krejt botën mund të shohësh që bëhen shkelje dhe manipulime, normal në Kosovë më shumë, sepse nuk kemi liderë t’i stopojnë këto gjëra. Deri më tani, kjo qeveri ka filluar në disa raste, ndoshta aty ku i konvenon, por në shumicën e rasteve nuk mundesh as t’i përcjellësh, sepse ka aq shumë, prandaj aktivizimi i qytetarëve është i domosdoshëm. Vetëm me aktivizim të qytetarëve mund të ndërtohet një shtet i mirëfilltë dhe i barabartë, sepse çka ndodh sidomos në Kosovë, si një shtet i ri, i gjithë shteti ndërtohet në bazë të disa miqve apo në bazë të ideve të bizneseve. Dhe nëse ti si qytetar, nuk e ngrit zërin dhe jo vetëm për të shkruar statusa në Facebook, sepse atë e bëjnë të gjithë, por të kërkosh llogaridhënie, ta dokumentosh, të dërgosh padi dhe t’i shkosh deri në fund situatave, kjo sjell ndryshim.
Radio Kosova: Si mund të ndikojnë qytetarët dhe bizneset në zvogëlimin e ndotjes së ambientit në Kosovë?
Flutra Zymi: Krejt kjo varet nga monitorimi që institucionet ua bëjnë bizneseve. Nëse ti e ke një udhëzim apo ligj, që disa gjëra i ndalon, institucionet duhet ta bëjnë monitorimin e zbatimit të ligjeve, rregulloreve nga ana e bizneseve dhe kështu vjen deri te ndalesa e degradimit. Por në mungesë të institucioneve tona që nuk monitorojnë dhe zbatojnë këto ligje, e që shumë edhe mungojnë, më duhet të them që edhe brenda ligjeve e ke të lejuar korrupsionin. Pra, në mungesë të institucioneve që do të duhej të jenë shtylla e parë e mbrojtjes së mjedisit dhe natyrës, atëherë neve na mbetet vetëm në ndërgjegjshmërinë e kompanive dhe bizneseve. Kjo po ashtu mbetet edhe barrë mbi shoqërinë civile, të cilët avokojnë për mbrojtjen e mjedisit, ku ata pastaj kanë programe të ndryshme që i informojnë kompanitë dhe bizneset. Ose këto çështje po mbeten barrë e aktivistëve të cilët në momentet kur shohin degradimet që bëhen në mjedis, deri në fazë të shkatërrimit, atëherë aktivistët po janë ata që po i adresojnë këto çështje.
Radio Kosova: Cilat janë pasojat e degradimit të qyteteve në Kosovë për qytetarët?
Flutra Zymi: Degradimet nuk janë të menjëhershme, ato nuk vërehen menjëherë, problematikat vijnë më vonë. Po ajo që kemi mundur ta vërejmë, sidomos te hidrocentralet, ku p.sh, ujitja e tokës është problem, qasja tek uji është problem sidomos te pjesët rurale, ku banorët në një formë janë të varur nga ai lum. Këto i vëren dhe pastaj ajo çka ndodh është se njerëzit gradualisht i braktisin ato zona. Pastaj ndërtimi i rrugëve bëhet në ato pjesë specifike, për njerëz specifikë, ku ata investojnë. P.sh, ata vijnë prej vendeve të ndryshme, ose jashtë Kosovës, dhe investojnë aty, kurse banori lokal nuk ka qasje, ose bllokohet nga dikush që vjen nga jashtë dhe investon. Pra, as kjo nuk është e rregulluar në Kosovë.
Radio Kosova: Çfarë mund të bëjnë qeveria dhe komuniteti lokal për të parandaluar degradimin e qyteteve në Kosovë? Mos është vonë për këtë, sepse qytetet në Kosovë kanë pësuar degradime të mëdha.
Flutra Zymi: Nuk është asnjëherë vonë nëse dëshiron të bësh ndryshim pozitiv, mirëpo duhet vullnet, punë dhe përkushtim dhe guxim. Gjëja e parë që është dashur të bëhet, e që e kam prit shumë nga kjo qeveri, është të bëhet një analizë e thellë se çfarë u ka ndodh qyteteve në Kosovë me ndërtimet, çka është degraduar dhe si mund ta ndryshojmë. Unë këtë nuk po e shoh ende. Ne i kemi Planet Zhvillimore Komunale që bëhen për 8 ose 10 vjet. Po e marrim Prishtinën si shembull, bëhet plani në të gjitha fushat, që njihet si plani zhvillimor komunal dhe pastaj është harta zonale. Në këtë plan, që është si një lloj kushtetute për zhvillimet e qyteteve, duhet të bëhet sa më pak i dëmshëm për mjedisin dhe sa më i shëndetshëm për qytetarët. Dhe kjo nuk po ndodh, dhe ky është problemi kyç. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për këto degradime, as komuna, e as Ministria e Mjedisit. Por edhe ne si qytetarë jemi shumë pak të angazhuar rreth planit zhvillimor komunal. Në debatet publike pjesëmarrja e qytetarëve është shumë e vogël, por edhe ata që marrin pjesë e tëra që iu intereson është vetëm toka personale, dhe askush nuk pyet për objektet e tjera përcjellëse të interesit publik që do të ndërtohen aty. Ky është gabimi dhe fatkeqësia që i ka ndodhur vendit tonë.























