Gjuan me kallash në dasmë, i konfiskohet arma
Policia e Kosovës nga rajoni i Gjakovës ka sekuestruar dy armë, një pushkë automatike dhe një revolver. Njëra armë është konfiskuar pasi njëri nga personat kishte shtënë me artmpnë një aheng.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative dhe realizimit të objektivave policore, në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar dy armë”, njofton policia e Gjakovës.
Në rastin e parë, sipas njoftimit, patrulla policore gjatë kryerjes së detyrave rutinë në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, ka ndalur një veturë të cilën e ngiste i dyshuari B. S.,i lindur në vitin 1990, shtetas i Republikës së Kosovës, në posedim të të cilit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit TT dhe tetë (8) copë fishekë.
“Në rastin e dytë, pasi që në një aheng familjar në fshatin Rashkoc-Gjakovë ishte raportuar për të shtëna me armë zjarri, është arrestuar i dyshuari H. R., i lindur në vitin 1986, shtetas i Republikës së Kosovës i cili zyrtarëve policorë ju kishte dorëzuar një pushkë gjysmë automatike me një karikator të cilën e kishte në posedim të paautorizuar”, njofton policia.
Lidhur me veprimet e ndërmarr, sipas policisë, është njoftuar prokurori kompetent me vendimin e të cilit armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tyre është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.























