Shqipër, nis sot beteja për bashkitë e vendit
BKT
Shqipëri

Shqipër, nis sot beteja për bashkitë e vendit

rtsh.al

Partitë politike ndezin këtë të premte “motorët” e fushatës elektorale. 14 prilli shënon nisjen zyrtare të fushatës elektorale, ku kandidatët për kryetar bashkie do të takohen me elektoratin e tyre dhe do të prezantojnë programin e tyre për zgjedhjet vendore të 14 Majit për të 61 bashkitë.

Por ndonëse fushata për partitë duhej të niste sot, Partia Socialiste e ka çelur atë më 11 prill, ku Kryeministri Edi Rama së bashku me deputetët socialistë dhe kandidatët për kryetarë të bashkive iu drejtua sheshit "Skënderbej” dhe një ditë më pas u shfaq në Durrës, nga ku dha premtimin se gjysma e shpenzimeve të kësaj fushate do të jepet për mbjelljen e pemëve në të 61 bashkitë e vendit.

Por Partia Demokratike, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe partitë e tjera do i ndezin këtë të premte motorët për fushatën, duke nisur kështu zyrtarisht “betejën” mes tyre.

Një ditë më parë (13 prill) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin për renditjen e kandidatëve për bashkitë e vendit, në fletën e votimit, ku beteja më e fortë pritet të jetë në 4 bashki, atë të Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Durrësit.

Sa i përket Bashkisë së Tiranës, fleta e votimit është publikuar ditën e djeshme (13 prill), ku renditen 6 kandidatët që do të përballen në ‘fushë’ mes njëri-tjetrit për të ‘luftuar’ për fitoren. Sipas kësaj flete votimi, i pari renditet Arlind Qorri nga “Lëvizja Bashkë, i dyti Marko Dajti nga “Fronti i Majtë”, në vendin e tretë Lajla Përnaska nga PDIU, kandidati socialist Erion Veliaj i katërti në radhë, i pesti renditeti Belind Këlliçi për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, ndërsa në vend të gjashtë kandidati i PD-së, Roland Bejko.

Një ditë më parë (13 prill), OSBE u bëri thirrje partive politike që të zhvillojë fushatë të qetë e konstruktive, si dhe kërkoi zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it.

OSBE gjithashtu theksoi se prezenca e saj në Shqipëri do të japë ndihmën e nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike më 14 maj.


MË SHUME NGA Shqipëri