Reshje bore në zonat malore të Dibrës
atsh
Policia e Dibrës bën të ditur se prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonat malore të qarkut Dibër kanë rënë reshje dëbore.
Në njoftimin për mediet, policia thekson se si pasojë e situatës aksi i rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë u bllokua përkohësisht ndërsa subjekti kontraktor punoi për pastrimin dhe hapjen e saj.
Policia Rrugore apeloi drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
Por pas punës nga kontraktori, Policia njoftoi rihapjen e qarkullimit për automjetet në këtë aks rrugor.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e trafikut dhe apelon që për shkak të lagështirës në rrugë drejtuesit e automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.























