Kosova e Mali i Zi me pikëpamje të njëjta për integrime
BKT
Foto: Zyra për Media e Presidencës
Lajme

Kosova e Mali i Zi me pikëpamje të njëjta për integrime

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Siç njofton Presidenca me një komunikatë për media, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garancë për paqe e prosperitet në rajon.

Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq. 

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Zv.Kryeministrja Rexhepi pret në takim kryeministrin Abazoviq |Foto

Ka përfunduar tashmë takimi mes presidentes së Kosovës,  Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Pas takimit nuk pati deklarim për media, por pritët që më vonë, presidenca e Kosovës të lëshojë një komunikatë për media.

Sipas agjendës, kryeministri i Malit të Zi tashmë është në takim me Zëvëndëskryeministren e Kosovës,  Emilija Rexhepi, e ngarkuar me çështje të pakicave dhe drejtat e njeriut.

Në këtë takim, janë prezent edhe përfaqësues të partive politike si serbe, turke, boshnjake, rome, ashkali etj.

Para përfundimit të vizitës tre ditëshe në Kosovë, Abazoviq do të ndalete dhe në Pejë, ku do të pritet në takim nga kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri.

Nis takimi Osmani-Abazoviq|Foto-Video

Ka filluar takimi mes presidentes së Kosovës,  Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Megjithatë, takimi mes tyre  është i mbyllur për media kurse më pas,  nuk është parashikuar ndonjë adresim para mediave.

Më vonë, kryeministri i Malit të Zi do të pritet në takime dhe nga Zëvëndëskryeministrja e Kosovës,  Emilija Rexhepi, e ngarkuar me çështje të pakicave dhe drejtat e njeriut.

Para përfundimit të vizitës tre ditëshe në Kosovë, Abazoviq do të ndalet edhe në Pejë, ku do të pritet në takim nga kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri.

Presidentja Osmani pret sot në takim kryeministrin Abazoviq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret sot në Prishtinë, në takim zyrtar, kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Sipas njoftimit të presidencës, takimi pritet të nisë në ora 10:00.

Presidenca nuk ka njoftuar se d të ketë ndonjë deklarim të përbashkët të Osmanit dhe Abazoviqit, ndonëse është sqaruar se mediat mund të xhirojnë disa minuta pjesë nga ky takim dhe të bëjnë disa fotografi.

Kryeministri Abazoviq, ka mbërritur të enjten pasdite në Kosovë dhe do të qëndrojë edhe të shtunën deri pasdite.

Gjatë kësaj kohe, ai është pritur nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin në konferencën për përbashkët për media, rikonfirmuan marrëdhëniet e mira mes Kosovës e Malit të Zi dhe nënshkruan marrëveshje për hapje të korridoreve të reja të fluturimit mes dy vendeve.

Paraprakisht ai ishte pritur në takim edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili e nderoi me “Çelësin e Prishtinës” kurse të premten u takua edhe me liderët e partive opozitare, PDK e LDK.

Kurse sot më vonë gjatë ditës, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, viziton Pejën, ku do të takohet me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.


MË SHUME NGA Lajme