Libër për prapaskenat e bisedave të liderëve botërorë për luftën e Kosovës
Jeton Musliu/RTKlive
Një libër që të përfshinë në labirintet e ftohta të diplomacisë, e cila vazhdimisht duhet të merret me tema të nxehta- përfshirë luftën.
“Kosova-Lufta në fjalët e tyre”, është libri i gazetarit Marc Perry, i cili ka vendosur të përmbledhë komunikimet e atye, nga fjalët e të cilëve, varen miliona njerëz, për mirë apo keq!
24 vjet pas luftës në Kosovë, shumë dokumente janë deklasifikuar dhe tashmë ato mund të lexohen nga publiku.
Mes tyre, janë edhe shumë komunikime që kanë pasur të bëjnë për dhe rreth luftës në Kosovë, raporton RTKlive.
Në përshkrimin e librit, gazetari, shkrimtari, fotografi dhe redaktori Perry, librin e tij e përshkruan si një luftë me fjalë.
“Është një koleksion zbulues i komunikimeve ndërmjet liderëve të lartë globalë, diplomatëve dhe aktorëve ushtarakë gjatë luftës së Kosovës”, shkruan në mbishkrimin e librit, i cili sipas autorit, është i bazuar në dokumente autentike.
Ai thotë se komunikimet e protagonistëve kryesorë globalë, janë rregulluar në mënyrë kronologjike për t'u shpalosur brenda librit, sikur të jenë një lojë.
Materialet që përfshijnë kujtime, intervista dhe xhirime tashmë të deklasifikuara, janë marrë në arkiva.
Aty përshkruhen edhe kujtimet e ish kryeministres Margaret Thatcher, marrë nga ditari i Alastair Campbell.
Thatcher kishte treguar se si në vitin 1999, kryeministri britanik, Tony Blair, kishte qarë hallin me të se perëndimi në raport me luftën e Kosovës, po humbë betejen përballë propagandës së Serbisë.
Libri risjell publikimin e dokumentit nga ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili me 8 prill 1999, kishte publikuar dokumentin disa faqësh që vërtetonte në detaje planin e Serbisë, të quajtur “Patkoi” që kishte për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.
Gazetari deklaron se libri ‘Kosova-Lufta në fjalët e tyre’ do të jetë me interes për historianët, diplomatët, politikanët, akademikët, gazetarët, ushtarët dhe këdo tjetër që kërkon një pasqyrë më të thellë dhe më në detaje të luftës.
Marc Perry, vetën e përshkruan si autor që kombinon personazhe nga kultura dhe bindje politike gjerësisht të ndryshme deri në një efekt të thellë, dramatik dhe nganjëherë, komik.
Thotë se i pëlqen të zhytet thellë në të dhënat historike për të hedhur dritë mbi çështjet bashkëkohore.
Ai shprehet se temat e shfaqura në librat dhe blogjet e tij përfshijnë kolonializmin, nacionalizmin dhe ndërhyrjen ndërkombëtare.























