Begaj: Qendra Marshall kontriboi në paqen dhe stabilitetin në rajon
BKT
Shqipëri

Begaj: Qendra Marshall kontriboi në paqen dhe stabilitetin në rajon

rtsh.al

Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë ditën e sotme (19 prill) në aktivitetin e Qendrës Evropiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Begaj deklaroi se misioni i kësaj qendre është më i rëndësishëm se kurrë, teksa shton se partneriteti gjermano-amerikan promovon vlera të përbashkëta dhe avancon zgjidhje bashkëpunuese gjeostrategjike.

Presidenti u shpreh se për komunitetin Euro-Atlantik klima aktuale gjeopolitike e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë me prioritete që në thelb të tyre kanë sigurinë, paqen dhe mirëqenien.

“Ne duhet të përvetësojmë mësimet e historisë në mënyrë që të përgatitemi për të ardhmen, dhe në një kohë kur të gjithë po vihemi në provë, duhet të rivlerësojmë dhe të riafirmojmë vlerat tona.

Ky është padyshim një moment përcaktues për komunitetin Euro-Atlantik dhe për partnerët tanë globalë, të cilët besojnë dhe vlerësojnë idealet demokratike, si dhe të drejtat e njeriut”, tha Begaj, në fjalën e tij.

Presidenti u shpreh se, fryma e partneritetit duhet të jetë udhërrëfyese për integrimin e plotë euro-atlantik të rajonit.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor meriton akoma vëmendje, pasi ka hapësira që mbartin potenciale paqëndrueshmërie.

Gjej rastin të vlerësoj angazhimin serioz të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe të SHBA-së për përpjekjet këmbëngulëse në funksion të avancimit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ky dialog për normalizmin e marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke”, tha Begaj.

Më tej, duke u ndalur te sulmi kibernetik me të cilin është përballur vendi ynë, Begaj u shpreh se falë bashkëpunimit me partnerët euro-atlantikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, sulmi nuk e arriti qëllimin për të gjunjëzuar Shqipërinë. 

Sipas Presidentit, SHBA dhe NATO kanë qenë mbështetëse në përpjekjet e Shqipërisë për të identifikuar, zbutur, rimëkëmbur dhe për të hetuar sulmin kibernetik.

“I jemi shumë mirënjohës aleatëve tanë për mbështetjen dhe për ndihmën e dhënë në ndërtimin e në forcimin e kapaciteteve dhe të qëndrueshmërisë sonë kibernetike. Përvoja jonë e hidhur është shembull i sfidave me të cilat përballemi, ku aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, me synime keqdashëse dhe destabilizuese mund të sulmojnë me një ndjenjë mosndëshkimi”, tha Begaj.

Presidenti vuri theksin te marrëdhënie gjermano-amerikane e Qendrës Marshall, që sipas Begajt, është shembull i shkëlqyer i partneriteteve të suksesshme.

Qendra Marshall u krijua nga partneriteti amerikano-gjerman 30 vjet më parë për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe të stabilitetit në Evropën Lindore.

Përgjatë këtyre 30 viteve, Qendra Marshall ka nxjerrë më shumë se 300 Alumni nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes, sigurisë, diplomacisë, drejtësisë dhe të akademisë.

 


MË SHUME NGA Shqipëri