“Bashkë Fitojmë” njofton KQZ: Sali Berisha është drejtuesi i koalicionit
RTSH
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i ka dërguar një letër Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, ku njofton se drejtues i këtij koalicioni është ish-kryeministrit Sali Berisha. Njoftimi është dorëzuar nga Endrit Braimllari, ndërsa vjen në një kohë kur në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve po diskutohet ankimimi i PD-së e cila kërkon që në fletën e votimit të jetë emri i Ilir Metës përbri koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Duam që në numrin 1 te fletës së votimit të jetë i shënuar emri i zotit Sali Berisha si përfaqësues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’”, tha përfaqësuesi i koalicionit.
Nga ana tjetër, Koli Bele, relatori i çështjes tha se Endrit Braimllari nuk e ka në tagrin për dërgimin e kësaj kërkese.
“Nuk e kuptoj nga lindi kjo e drejtë e Braimllarit”, tha Bele.
Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar të KQZ-së u vendos që në fletën e votimit, krahas emrit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk do të vendosej emri i një kryetari, ndërsa mbledhja u shoqërua me debate për shkak se PD dhe PS kërkonin vendosjen e emrit të kreut të PL-së, Ilir Meta si kryetar i këtij koalicioni.
Megjithatë, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi bëri me dije se e gjitha kjo varet nga dëshira e koalicionit vetë nëse do apo jo vendosjen e emrit, ndërsa vendimi i marrë prej tyre ishte që të mos vendosej.
Pas vendimit të KQZ-së, PD dorëzoi ankimim në KAS.























