Këshilli Prokurorial reagon pas debatit të sotëm në Kuvend
B. H. / RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nga kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“...sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast. KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Tutje ky këshill thekson se institucionet prokuroriale janë ‘të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë’.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit ‘Sopa’, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate”, thuhet tutje një reagim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka quajtur të pavërteta deklaratat e kryeministrit Kurti se ka pasur raste edhe në të kaluarën të por që nuk janë trajtuar. “...kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le të deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë”, theksohet në reagim.
KPK-ja në fund ka theksuar se “mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit”.























