Kurti: BIK ka luajtur rol të madh për çështjen tonë kombëtare
RTKlive
Pas ceremonisë së faljes së Bajramit, Bashkësia Islame e Kosovës ka hapur dyert për të pritur mysafirë. Liderë institucionalë, partiakë e fetarë kanë vizituar BIK-un duke uruar paqe, unitet e mirëqenie.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) nga ku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.
Kurti tha se, muaji i shenjtë i Ramazanit, që paraprin festës së Bajramit të Madh, ka shtuar solidaritetin në popull, por uroi që kjo të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.
Kurti në këtë vizitë ka kujtuar rolin, sipas tij të madh, historik e shoqëror të BIK-ut në historinë e re të Kosovës.
““E dimë që nga lufta e fundit çlirimtare 37 hoxhallarë imam i kemi dëshmorë të kombit sot dhe në këtë stinën e pranverës kur për çdo ditë përkujtojmë masakra dhe beteja na duhet të ecim midis varreve ku ka emra të martirëve e dëshmorëve, në mesin e të cilëve aq shumë janë edhe imam, e aq shumë janë edhe besimtarë. Kjo tregon për rolin e madh që ka pasur Bashkësia Islame për çështjen tonë kombëtare dhe ne jemi përherë falënderues e mirënjohës”, është shprehur Kurti.
Kurti tha se nga Myftiu Tërnava janë njoftuar sa shumë është rritur solidariteti në popullsi pikërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
"Me Myftiun Naim Tërnava njihemi qysh nga vitet e ’90-ta, atëherë kur unë si student për të shkuar në fakultet, që asokohe në Universitetin e Prishtinës i mbante ligjëratat në shkolla fillore, duhej që të kaloj pranë Medresesë Alaudin në rrugën që çonte tek shkolla “1 Maji”. Dhe te ajo Medrese janë organizuar shumë mbledhje e takime, të cilët edhe i kanë strehuar veprimtarët politikë, por edhe kanë mundësuar tubime ku janë mbajtur diskutime e vendime të rëndësishme për zhvillimet politike të asaj kohe", tha ai.
Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësja e tij, Emilia Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku si dhe këshilltarë të tjerë.
.jpg)























