Krasniqi: Qeveria të mundësojë konsolidimin e institucioneve në veri
M.Sh/RTKlive
Pas rezultatit të zgjedhjeve në katër komunat e veriut ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili ka uruar kandidatët e kësaj partie për fitore në dy komuna. Ai thotë se PDK ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa nga Qeveria e Kosovës kërkon që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë, për të zbatuar vullnetin qytetar atje.
“I uroj Ilirin dhe Izmirin për fitoret, por edhe Albulenën e Taulantin për angazhimin dhe punën e palodhshme në komunat ku garuan. Ndërkaq, falënderimi më i madh u takon të gjithë atyre qytetarëve të cilët edhe sot i besuan PDK-së, kandidatëve dhe ofertës tonë. Përtej kësaj, e rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Megjithatë, sipas tij, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që, siç thotë ai, u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje.
“Tani presim nga Qeveria që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë, për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut. PDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky ka qenë zotimi ynë - ky është edhe misioni ynë. Bashkë për Kosovën”, ka shkruar kryetari i PDK-së.























