Denver pësoi humbje ndaj Minnesotës, Boston një fitore larg kualifikimit
BKT
Sport

Denver pësoi humbje ndaj Minnesotës, Boston një fitore larg kualifikimit

B. H. / RTKlive

Basketbollistët e Minnesotës, pas një shtese, mposhtën Denverin me rezultat 114:108 në ndeshjen e katërt të raundit të parë të play-off-it të NBA-së në Konferencën Perëndimore, duke e ngushtuar rezultatin në seri në 3-1.

Nuggets, në dy minutat e fundit, e kompensuan deficitin me një ecuri 12:0 dhe siguruan kohën shtesë, por nuk arritën të fitojnë dhe t'i japin fund serisë ndaj Timberwolves.

Skuadrës nga Kolorado nuk i ndihmoi paraqitja e mirë e Nikola Jokic, i cili e përfundoi ndeshjen me 43 pikë, 11 kërcime dhe 6 asistime në 39 minuta lojë.

Anthony Edwards udhëhoqi Minnesotën me 34 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime, Mike Conley shtoi 19 pikë e 8 asistime, Karl-Anthony Towns 17 pikë dhe 11 kërcime dhe Rudy Gober 14 pikë e 15 kërcime.

Boston Celtics janë gjithashtu një fitore larg kualifikimit në raundin e dytë. Bostoni fitoi ndeshjen e katërt të kësaj serie në Atlanta, me rezultat 129:121.

Jayson Tatum dhe Jaylen Brown shënuan secili nga 31 pikë, Marcus Smart 19 pikë, Derrick White 18 pikë dhe Robert Williams 13 pikë te Celtics, derisa në skuadrën vendase, Trae Young shënoi 35 pikë dhe 15 asistime, i ndjekur nga Deandre Hunter me 27 dhe Dejonte Murray me 23.