Kosova në pritje të një lajmi të mirë nga Komiteti i Ministrave të KiE-së
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kosova në pritje të një lajmi të mirë nga Komiteti i Ministrave të KiE-së

Jeton Musliu/RTKlive

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës sot e ka në rend të ditës, aplikimin e Kosovës për antarësim në këtë institucion të Bashkimit Evropian.

Kosova mbush në maj, një vit nga aplikimi për antarësim në KiE dhe sipas zyrtarëve kosovarë, vendi ka kryer të gjitha procedurat. Në këtë rast, duke përfshirë edhe lobimin e duhur, për të siguruar votat e nevojshme.

Ishte ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ditë më parë është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, madje brenda disa muajve.

Ajo ka thënë se votat për anëtarësim, Kosova  i ka siguruar dhe  nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë që aplikacioni i Kosovës të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Por para se të hidhet për votim, është Komiteti i Ministrave që duhet ta thotë fjalën e tij. E në rast se ky mekanizëm e pranon aplikimin e Kosovës, atëherë u hapet rruga procedurave të tjera për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Rejhan Vuniqi, këshilltarja e presidentes të Kosovës, ishet ajo e cila të dielen njoftoi se aplikimi i Kosovës për antarësim në KiE, është përfshirë në rendin e ditës.

"Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e të hënës së Komitetit të Ministrave. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian,” ka shkruar ajo në Twitter.

Ndërkohë, në Strasburg po qëndrojnë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ndodhet atje, ka shkruar në Facebook se sot është një ditë e veçantë për Kosovën.

“Dite e veçantë për Kosovën. Një hap më afër”,  ka shkruar ajo.

Në Strasburg është edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi. “Këshilli i Evropës, ne jemi gati për ta filluar procesin e anëtarësimit”, shkroi Gashi në Facebook.

Përveç tyre, atje ndodhet edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

“Për tri ditë do të jemi në Këshillin e Evropës, në sesionin pranveror, ku pritet të ketë shumë takime të delegacionit tonë me delegacione anëtare për të kërkuar mbështetje për anëtarësim”, ka shkruar ai.

Megjithatë, në punimet e Komitetit të Ministrave merr pjesë edhe Shqipëria e cila është anëtare me të drejta të plota në KiE.

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka publikuar pamje nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës, bashkë me kolegët e tij, deputetët kosovarë, Besnik Tahiri e Arben Gashi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se ndodhet në Asamblenë e Përgjithshme të KiE, me shpresën me një lajm të mirë për Kosovën.

Një mbështetje Kosovës i ka ardhur edhe nga deputeti ukrainas Oleksiy Oleksiyovich Goncharenko.  Ai ka thënë se do ta mbështet Kosovën me të gjitha mundësitë që ka.

“Unë do ta mbështesë rastin e Kosovës në të gjitha mundësitë e mundshme me të gjithë forcën time”, deklaroi ai.

“Sot do të jetë takimi i Komitetit të Ministrave ku unë nuk jam anëtar. Unë jam anëtar i Asamblesë Parlamentare. Sot do të jetë takimi i Komitetit, unë shpresoj që vendimi do të jetë pozitiv”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Serbia ka tentuar që të pengojë në vazhdimësi që aplikimi i Kosovës të mos përfshihet në agjendën e Këshillit të Evropës.


MË SHUME NGA Lajme