Kosova mikpritëse e "workshopit" të UEFA-s kundër manipulimeve
BKT
Sport

Kosova mikpritëse e "workshopit" të UEFA-s kundër manipulimeve

Uran Krasniqi / RTKLive

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dukej i lumtur të mërkurën. 

Federata e Futbollit të Kosovës po pret "workshopin" të parë rajonal kundër manipulimit të ndeshjeve të organizuar nga UEFA.

Në këtë "workshop" po marrin pjesë ekspertë të UEFA-s, përfaqësues të Interpolit, të Këshillit të Evropës, të agjencisë Sportradar, si dhe përfaqësues të zbatimit të ligjit dhe zyrtarë të integritetit nga shtetet pjesëmarrëse si; Austria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.

"Jam i lumtur që, ne, si FFK kemi arritur të ndërtojmë kapacitete të nevojshme për të qenë në gjendje të organizojmë ngjarje të kësaj natyre dhe të japim kontributin tonë në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve. Shpresoj që ky workshop do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve dhe promovimit të lojës së pastër të futbollit", ka thënë Ademi. "FFK në vazhdimësi do të promovojë lojën e pastër të futbollit dhe organizimi i këtij workshopi është një mundësi e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe për zhvillimin e futbollit në vendin tonë dhe në rajon".