Bislimi në Suedi pritet nga Roswall, vlerësohet ndihma ndaj Kosovës
BKT
Foto: Zyra për Media e Kryeministrit
Lajme

Bislimi në Suedi pritet nga Roswall, vlerësohet ndihma ndaj Kosovës

RTKlive

Gjatë vizitës zyrtare në Stockholm, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në një drekë pune nga Ministrja për Çështje Evropiane e Suedisë, Jessika Roswall.

Javën e kaluar, Rosswall ishte nënshkruese e aktit të liberalizimit të vizave të Kosovës, i cili përmbylli një rrugëtim të gjatë dhe shënoi finalizimin e këtij procesi.

Ajo e uroi dhe njëherë zëvendëskryeministrin në këtë arritje për Qeverinë, vendin dhe qytetarët si dhe në suksesin për hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi për fjalët e konsideratën, duke shprehur se Kosova ka synim e objektiv integrimin e plotë në institucionet e strukturat evropiane.

‘’Angazhimi ynë është serioz dhe puna jonë vijon në kuadër të objektivave strategjikë të vendit që e shohin Kosovën pjesë të familjes së gjerë evropiane’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Siç njofton Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë, siguria, qëndrueshmëria, prosperiteti, vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit janë prioritetet e Presidencës Suedeze të Këshillit të BE-së, dhe Kosova përfaqëson pikërisht këto vlera dhe punon për arritjen e këtyre standardeve.

“Në këtë frymë të përbashkët, u rikonfirmua bashkëpunimi i fuqishëm i Kosovës me Presidencën Suedeze të Këshillit të BE-së”.

“Si Qeveri besojmë se Kosova meriton të arrijë hapa të tjerë të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, citon komunikata të ketë deklaruar Bislimi.

U theksua nga zëvendëskryeministri Bislimi se aplikimi për anëtarësim i Kosovës në BE, në  15 dhjetorin e vitit të shkuar, ka qenë vetëm pikënisja.

“E tashmë duhet të ecim tutje drejt hapave vijues, e të cilat janë marrja e pyetësorit dhe më pas statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE”.


MË SHUME NGA Lajme